Detaje të reja janë zbardhur për ngjarjen e rëndë që tronditi Ksamilin mëngjesin e sotëm, ku një turist 20-vjeçar humbi jetën pasi u godit disa herë me thikë gjatë një konflikti në ambientet e një lokali.
Ndryshe nga informacionet e raportuara fillimisht, viktima ishte shtetas portugez dhe jo francez. Policia e ka identifikuar 20-vjeçarin me inicialet L. V., ndërsa ngjarja ndodhi rreth orës 05:15 në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”.
Sipas dëshmive të shokëve të viktimës, konflikti dyshohet se nisi pas ngacmimit të një vajze. Situata u përshkallëzua në dhunë fizike, ndërsa 20-vjeçari portugez u fut mes personave të përfshirë në përpjekje për të shuar sherrin.
Por ndërhyrja e tij rezultoi fatale. Sipas hetimeve të policisë, 29-vjeçari S. L., alias S. V., dyshohet se e ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin. Në të njëjtën kohë, D. H., 29 vjeç, i shpallur në kërkim, dyshohet se e ka goditur viktimën me grushte.
Për të dy, policia ka referuar materialet në Prokurori për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Pas një operacioni të shpejtë, policia arriti të kapte autorin e dyshuar të vrasjes, 29-vjeçarin S. L., alias S. V., i cili u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti në Levan të Fierit.
Në makinë ndodheshin edhe dy shtetas turq, N. M., 38 vjeç, dhe E. P., 31 vjeçe, të cilët dyshohet se e kishin fshehur 29-vjeçarin në automjet me qëllim transportimin e tij drejt Tiranës.
Në total, policia njofton se ka arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Mes të arrestuarve janë edhe katër kamarierë të lokalit “Principote”, të cilët, sipas policisë, janë përfshirë në konflikt dhe kanë goditur me grushte 20-vjeçarin përpara se ai të goditej me thikë.
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe rolin e personave që shërbenin si siguri në lokalin “Principote”.
Sipas policisë, në momentin e konfliktit kanë qenë të pranishëm katër persona në rolin e bodyguard-ëve. Ata dyshohet se nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet.
Njëri prej tyre,Turisti portugez u vra pasi ndërhyri në sherr/ 11 të arrestuar, 2 në kërkim M. M., është punonjës policie, ndërsa personat e tjerë janë punonjës të institucioneve të ndryshme të sigurisë.
Ndaj tyre janë referuar materiale për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, ndërsa për M. M. rëndon edhe akuza për “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Edhe pronari i lokalit, B. B., ka qenë i pranishëm në momentin e ngjarjes dhe, sipas policisë, pas krimit është larguar pa njoftuar autoritetet. Ai është shpallur në kërkim dhe ndaj tij është referuar akuza për “Moskallëzim të krimit”.
Policia bëri me dije se në Komisariatin e Sarandës janë shoqëruar 41 persona gjatë veprimeve të para hetimore. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të vrasjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë së secilit prej personave të përfshirë.


