Protesta e zhvilluar këtë të hënë para Kuvendit është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit. Përplasjet nisën kohën kur deputetët pritej të zhvillonin seancën plenare të fundit para pushimeve të verës.
Protestuesit tentuan të afrohen drejt godinës së Kuvendit, ndërsa policia kishte vendosur kordonë për të penguar avancimin e tyre. Në fokus të seancës ishte miratimi me procedurë të përshpejtuar i një marrëveshjeje në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes së cilës Shqipëria do të marrë një kredi prej 302 milionë dollarësh për blerjen e pajisjeve ushtarake.

Marrëveshja është kundërshtuar nga opozita, e cila ka ngritur shqetësime për procedurën e ndjekur dhe faktin që detajet e saj janë mbajtur sekret. Demokratët e kanë cilësuar këtë veprim si antikushtetues dhe kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u ka kërkuar deputetëve të opozitës që të njihen me dokumentin në një nga ambientet e Kuvendit, duke respektuar detyrimin për ruajtjen e sekretit.
Ndërkohë, situata është shoqëruar edhe me tensione brenda godinës. Ndërsa deputetët demokratë u drejtuan për të parë dokumentin, deputeti Agron Shehaj arriti të marrë kopjen e vetme të marrëveshjes, duke shkaktuar debate dhe përplasje mes palëve.
Mes kaosit, seanca plenare u ndërpre dhe deputetët u ftuan të rikthehen në mesditë për vijimin e procedurave dhe votimin e marrëveshjes.
Jashtë Kuvendit, protesta vijoi mes tensioneve dhe përplasjeve me policinë. Pas zhvillimeve, deputetët demokratë u larguan drejt selisë së Partisë Demokratike, ndërsa deputetët socialistë vijuan procedurat në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Sigurisë dhe Komisionit të Ekonomisë, ku marrëveshja pritet të shqyrtohet më tej.
Protesta dhe përplasjet e sotme vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa opozita kundërshton mënyrën e miratimit të marrëveshjes dhe kërkon transparencë të plotë mbi përdorimin e kredisë prej 302 milionë dollarësh.


