Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 52-vjeçarin Poli Boriçi, i dyshuar për tentativë vrasjeje ndaj Ermir Kërtezit dhe armëmbajtje pa leje.
Prokuroria kërkoi caktimin e masës “arrest me burg” për Boriçin, i cili akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Gjatë seancës gjyqësore, e zhvilluar me dyer të mbyllura, 52-vjeçari, përmes avokatit të caktuar kryesisht, ka deklaruar se nuk kishte qëllim ta vriste Kërtezin, por vetëm ta frikësonte.
Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës, në një lokal në Elbasan. Boriçi dyshohet se i ka vendosur pistoletën në kokë Ermir Kërtezit, i cili është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Sipas hetimeve paraprake, arma dyshohet se është bllokuar në momentin e fundit, duke bërë që atentati të mbetej në tentativë. Boriçi u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes.
Në deklarimin e parë në polici, 52-vjeçari ka thënë se motivi ishte hakmarrja për vëllain e tij, të cilin, sipas pretendimit të Boriçit, Kërtezi e kishte plagosur rreth 15 vite më parë, duke e lënë të paralizuar.
Nga ana tjetër, Ermir Kërtezi ka deklaruar para prokurorëve se marrëdhëniet mes dy familjeve fqinje ishin normalizuar prej vitesh dhe se nuk kishte konflikte të kohëve të fundit mes tyre.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë motivin dhe rrethanat e ngjarjes.


