38 persona janë shoqëruar nga Policia e Sarandës për t’u marrë në pyetje lidhur me vrasjen e 20-vjeçarit francez Miguel Mendez, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lokalin “Principote” në Ksamil.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa burime bëjnë me dije se pritet arrestimi edhe i personave të tjerë, përveç 29-vjeçarit Sokrat Vata, i dyshuar si autor i vrasjes.
Në kuadër të hetimeve është ndaluar edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër.
Matushaj dyshohet se ka ndihmuar Sokrat Vatën të largohej nga vendi i ngjarjes pas vrasjes së 20-vjeçarit francez.
Sipas hetimeve, Matushaj punonte gjithashtu si bodyguard i kompanisë “Elite Security”, së bashku me Sokrat Vatën, në lokalin “Principote”, ku ndodhi ngjarja.
Policia po heton edhe rolin e dy shtetasve turq, një çift, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar autorin të largohej nga zona. Ata dyshohet se kanë drejtuar automjetin ku ishte fshehur Sokrat Vata pas krimit.
Burimet bëjnë me dije se Vata dyshohet se punonte gjithashtu si bodyguard i një prej shtetasve turq.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe 36-vjeçari Bekim Bulica. Nga hetimet paraprake rezulton se ai ndodhej në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës, dyshohet me qëllim shmangien e hetimit.
Policia vijon marrjen në pyetje të personave të shoqëruar, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë të tjera ndalime dhe arrestime në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi Ksamilin.


