Tre persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur në një aksident tragjik të ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në Manzë të Durrësit.
Viktimat janë identifikuar si Kleo Vrioni, 25 vjeç, drejtuesi i automjetit, Sara Brugentelli, 26 vjeçe dhe Alvi Muhaxhiri, 15 vjeç.
Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur Rejsi Vrijoni, 25 vjeç dhe Klevis Dervishi, 16 vjeç. Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Aksidenti ndodhi rreth orës 02:22, në një rrugë dytësore në Manzë. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, automjeti tip BMW, me të cilin udhëtonin pesë personat, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një bordurë betoni.
Si pasojë e përplasjes, automjeti ka përfunduar në një kanal pranë rrugës, ndërsa tre prej personave që ndodheshin në të kanë humbur jetën.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët ndërhynë për nxjerrjen e personave nga automjeti. Dy të plagosurit u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa trupat e viktimave u dërguan në morg.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë dëmet e rënda në automjet, i cili është dëmtuar thuajse plotësisht nga përplasja.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit.


