Një 30-vjeçar është arrestuar në afërsi të Konispolit, pasi dyshohet se ndihmonte emigrantë të kalonin ilegalisht drejt Italisë, kundrejt pagesës.
Operacioni i koduar “Tranzit” u finalizua nga shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, të cilat kapën në flagrancë shtetasin me inicialet V. D., banues në Lushnjë, duke transportuar me furgon 11 emigrantë nga Irani dhe Iraku.
Sipas Policisë, emigrantët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri përmes kufirit tokësor me Greqinë dhe dyshohet se synonin të kalonin më tej drejt Italisë. Për transportin, 30-vjeçari dyshohet se merrte 2 500 euro për person.
Në kuadër të operacionit, u sekuestrua edhe furgoni i përdorur për transportimin e emigrantëve, ndërsa 11 shtetasit e huaj u proceduan penalisht për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


