Një tjetër banesë ku mbaheshin lëndë piroteknike të kontrabanduara është zbuluar në Tiranë. Në kuadër të operacionit, policia ka arrestuar pronarin e banesës, një 32-vjeçar me inicialet D. B.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, në rrugën “Zela”, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 47 pako me fishekzjarrë. Sipas autoriteteve, 32-vjeçari nuk dispononte licencë për shitjen e lëndëve piroteknike dhe as dokumentacionin përkatës të blerjes së tyre.
Nga hetimet dyshohet se ai u kishte shitur lëndë piroteknike personave të maskuar, të cilët morën pjesë në protestën e së shtunës dhe dyshohet se i përdorën ato gjatë veprimeve të dhunshme.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të kontrolleve për identifikimin e personave që dyshohet se furnizojnë pjesëmarrësit në tubime me sende të kundërligjshme.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


