Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Pejë, vetëm pak orë pasi kishte denoncuar sërish dhunën në familje në polici. Tre ditë para ngjarjes, ajo i ishte drejtuar me një letër Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke shprehur shqetësimin për mënyrën se si po trajtohej rasti i saj dhe duke kërkuar hetim për veprimet e zyrtarëve përgjegjës.
“Kjo është shpresa ime e fundit”, kishte shkruar Zekaj në letrën e datës 22 tetor, ku kërkonte që të hetoheshin të gjitha institucionet e përfshira, përfshirë Policinë dhe Qendrën për Punë Sociale. Në të njëjtën letër, ajo kishte paralajmëruar: “Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, pas pranimit të parashtresës së saj, çështja u përcoll për trajtim te institucionet përkatëse dhe u iniciua një rast për të verifikuar nëse zyrtarët kishin kryer veprime ose mosveprime të kundërligjshme, që mund të përbëjnë veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Dokumentacioni i referuar nga Prokuroria tregon se më 16 tetor gjykata kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj dhe kishte urdhëruar që Arlinda të lejohej të kthehej në shtëpinë e përbashkët. Ndërkohë, më 23 tetor ishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj për kanosje në kuadër të marrëdhënies familjare.
Ditën e vrasjes, Arlinda ishte paraqitur sërish në polici për një rast të dyshuar të dhunës në familje. Ajo kishte refuzuar sistemimin në një strehimore dhe kishte kërkuar të kthehej në banesë, ku ndodhej edhe djali i saj. Sipas Prokurorisë, ajo ishte shoqëruar drejt shtëpisë nga një patrullë policore rreth orës 21:00.
Pak minuta më vonë, prokurori kujdestar ishte njoftuar se Arlinda ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar për vrasjen. Sipas njoftimit të publikuar, në momentin e raportimit, policia po punonte për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Pas ngjarjes, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi një analizë të plotë të veprimeve të institucioneve dhe raport të detajuar mbi mënyrën se si ishin trajtuar denoncimet e viktimës. Edhe Inspektorati Policor i Kosovës është ngarkuar të verifikojë veprimet e zyrtarëve policorë dhe përgjegjësitë e mundshme.
Prokuroria ka nisur hetimet për të sqaruar nëse ka pasur neglizhencë, shkelje të ligjit apo mosveprime nga ana e institucioneve që kishin dijeni për rastin e Arlindës. Përgjegjësitë eventuale individuale dhe institucionale pritet të përcaktohen në përfundim të verifikimeve.


