Biznesmeni Behgjet Pacolli ka qëndruar për rreth shtatë orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku është pyetur në lidhje me çështjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Pas daljes nga prokuroria, Pacolli deklaroi se kishte bërë një denoncim penal për atë që i cilësoi si padrejtësi të lidhura me aeroportin.
“Unë vetëm kam bërë një denoncim penal për padrejtësitë që janë bërë deri tani në lidhje me Aeroportin e Vlorës”, u shpreh ai para gazetarëve.
I pyetur nëse ishte marrë në pyetje edhe për ndonjë interes të mundshëm që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku, Pacolli u përgjigj shkurt: “Pyesni avokatin”.
Avokati i tij, Eduart Halimi, sqaroi se biznesmeni ishte thirrur nga SPAK si person që ka dijeni për zhvillimet dhe ngjarjet që lidhen me aeroportin. Ai theksoi se, për shkak të hetimeve që po zhvillohen dhe procesit në Gjykatën e Arbitrazhit, nuk mund të jepte detaje të tjera.
Në një reagim në rrjetet sociale, Pacolli bëri të ditur se gjatë qëndrimit në SPAK kishte paraqitur fakte, dokumente dhe rrethana që, sipas tij, lidhen me ndërhyrje të paligjshme në strukturën e pronësisë, mosrespektim të vendimeve gjyqësore dhe cenim të pronës private.
Biznesmeni u shpreh se do të vijojë bashkëpunimin me SPAK-un dhe institucionet e tjera kompetente, deri në sqarimin e plotë të çështjes. Ai gjithashtu deklaroi se beson te drejtësia dhe te zbatimi i ligjit.
Çështja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është në qendër të një konflikti ligjor, ndërsa hetimet dhe procedurat përkatëse pritet të sqarojnë pretendimet e palëve.


