Një peshkatar shqiptar 58-vjeçar është shpallur fajtor nga drejtësia britanike, pasi tentoi të transportonte ilegalisht 17 emigrantë nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar përmes rrugës detare.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), Eno Gajda u arrestua më 27 gusht në brigjet e Dorset, teksa drejtonte një jaht rreth 12 metra të gjatë, i cili ishte nisur nga Dielette e Francës me destinacion Portlandin.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve kufitare, mjeti lundrues u shoqërua drejt portit Portland Marina, ku u konstatuan 17 emigrantë në bord, konkretisht 16 burra shqiptarë dhe një i mitur mashkull.
Më 26 tetor, Gajda pranoi fajësinë për lehtësimin e emigracionit të paligjshëm në Gjykatën e Kurorës në Bournemouth. Vendimi për masën e dënimit pritet të shpallet më 18 nëntor.
Përfaqësuesit e NCA-së theksuan se transportimi i emigrantëve përmes një prej korridoreve detare më të ngarkuara në botë përbën rrezik serioz për jetën e tyre.
Aktualisht, agjencia britanike po zhvillon mbi 100 hetime aktive ndaj individëve dhe rrjeteve të dyshuara për kontrabandë emigrantësh.


