Për të 44-ën ditë radhazi, qytetarë nga zona të ndryshme të vendit janë mbledhur në Tiranë për të protestuar kundër qeverisë dhe klasës politike në Shqipëri.
Protesta nisi në sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrësit u grumbulluan me flamuj kombëtarë dhe pankarta, për të vijuar më pas marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me destinacion godinën e Kryeministrisë.
Para Kryeministrisë, protestuesit mbajtën fjalime dhe përsëritën kërkesat e tyre për ndryshim politik, duke kërkuar largimin e klasës së vjetër politike dhe krijimin e një qeverie teknike.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Atdheu nuk është në shitje”, ndërsa protestuesit shprehën pakënaqësinë për situatën politike dhe ekonomike në vend.
Protesta e përditshme vijon prej 44 ditësh dhe organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.


