Protesta në Tiranë vijon të jetë e dhunshme pas më shumë se nëntë orësh, me protestuesit që kanë lëvizur në disa zona të kryeqytetit, duke sulmuar institucione shtetërore, dëmtuar biznese dhe shkaktuar përplasje me policinë.
Mbrëmjen e sotme, protestuesit janë zhvendosur në zonën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pasi më herët kanë sulmuar godinën e Kryesisë së Kuvendit dhe Gjykatën Kushtetuese.
Dhuna është shtrirë edhe te Kullat Binjake, ku protestuesit kanë sulmuar bizneset e vendosura në katin e parë të godinës. Sipas raportimeve, një filiali të një kompanie sigurimesh i është vënë flaka, ndërsa është sulmuar edhe një restorant pranë tij.

Gjatë lëvizjeve në kryeqytet, protestuesit kanë mbërritur edhe në Ministrinë e Drejtësisë, ku kanë sulmuar godinën. Ndërkohë, situata është përshkallëzuar edhe në rrugën e Elbasanit, ku një grup protestuesish i është drejtuar Kuvendit.
Përveç dëmeve ndaj institucioneve dhe bizneseve, dhuna është drejtuar edhe ndaj mjeteve të emergjencës. Në pamjet e publikuara shihet një person i maskuar duke tentuar të dëmtojë një zjarrfikëse.

Përplasjet me policinë vijojnë prej disa orësh, ndërsa raportohet se disa protestues janë shoqëruar dhe arrestuar pas ndërhyrjes së forcave të rendit.
Pas gati nëntë orësh, situata në kryeqytet mbetet e tensionuar, ndërsa protestat kanë marrë përmasa të dhunshme, me dëme në institucione shtetërore dhe biznese private.


