Protesta e studentëve në kryeqytet ka vijuar edhe pasditen e 14 tetorit mes tensioneve të larta dhe përplasjeve me policinë. Pas incidenteve pranë Ministrisë së Arsimit, protestuesit janë zhvendosur drejt Ministrisë së Ekonomisë dhe më pas drejt godinës së Kryeministrisë.
Në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, një grup protestuesish kanë thyer derën kryesore dhe kanë hyrë brenda godinës, ku kanë hedhur gurë. Pas incidenteve, në zonë kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll dhe kanë nisur shoqërimin e protestuesve.
Për shpërndarjen e turmës, efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës, ndërsa kanë vendosur edhe një kordon sigurie për të mbajtur protestuesit larg institucioneve.
Protestuesit zhvendosen drejt Kryeministrisë
Pas përplasjeve pranë Ministrisë së Ekonomisë, protesta është zhvendosur drejt Kryeministrisë, ku situata ka vijuar të jetë e tensionuar.

Sipas raportimeve nga vendngjarja, protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia ka ndërhyrë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të frenuar përshkallëzimin e situatës.
Forca të shumta policie janë vendosur në zonën përreth godinës së qeverisë, në përpjekje për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar incidente të tjera.
Ngjarjet e pasdites së 14 tetorit vijnë pas një dite të mëparshme të shoqëruar me përplasje, dëme materiale dhe shoqërime në polici. Protesta, e cila nisi me kërkesa për kushte më të mira dhe më shumë mbështetje për të rinjtë, është përshkallëzuar gjatë orëve të fundit, duke u zhvendosur në disa prej institucioneve kryesore të kryeqytetit.
Ndërsa studentët vijojnë tubimin, situata mbetet e tensionuar, me policinë të pranishme në disa zona të Tiranës për të mbajtur nën kontroll zhvillimet.


