Të paktën 13 persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas protestës së studentëve në Tiranë, ku përplasjet dhe tensionet para Ministrisë së Arsimit u shoqëruan me përdorimin e gazit lotsjellës dhe mjeteve të forta.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, mes personave që kanë marrë ndihmë mjekësore janë protestues, efektivë policie, përfaqësuese të medias dhe kalimtarë.

Tre protestues janë paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Dy prej tyre janë larguar pas konsultës me mjekët, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet në urgjencë.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore edhe dy gazetare. Pas ekzaminimeve, ato janë larguar nga spitali në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit kanë marrë gjithashtu kujdes mjekësor për dëmtime të shkaktuara nga mjete të forta në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme. Të gjithë janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën.
Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri gjatë protestës dhe do të vijojnë të jenë të gatshme për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Strukturat shëndetësore në gatishmëri për t’u ofruar ndihmë mjekësore personave të dëmtuar gjatë protestës
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.
Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.
Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë.


