Përplasjet mes studentëve dhe policisë para Ministrisë së Arsimit vijojnë prej më shumë se tre orësh, ndërsa situata në Rrugën e Durrësit mbetet e tensionuar.
Protesta, e cila vijon që prej orës 14:00, është shoqëruar me përplasje fizike dhe momente të forta tensioni. Gjatë këtyre orëve, policia është kundërpërgjigjur herë pas here me gaz lotsjellës dhe ujë, ndërsa studentët kanë vijuar rezistencën e tyre.
Gjatë protestës, studentët kanë shkulur kangjellat metalike dhe kanë hequr tullat e trotuarit, ndërsa në ajër janë hedhur edhe kapsolla.
Studentët i kanë vënë flakën edhe një tabele reklamuese të vendosur në trotuar, në Rrugën e Durrësit, në shenjë revolte gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit.

Baneri ndodhej përpara disa bizneseve, ndërsa deri më tani nuk raportohet për dëmtime të tyre.
Ndërkohë, tensionet mes protestuesve dhe policisë vijojnë prej më shumë se tre orësh. Studentët vijojnë të qëndrojnë në rrugë, ndërsa situata mbetet e tensionuar.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e tensionit të krijuar para Ministrisë së Arsimit, ku përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë vijojnë prej disa orësh.


