Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e kësaj të diele kodrat e zonës së Llamanës, në jug të qytetit të Himarës, duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe bimësi.
Në terren janë angazhuar 17 efektivë të shërbimit zjarrfikës, të mbështetur nga forcat e Policisë së Himarës dhe strukturat e Emergjencave Civile, të cilat po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Sipas informacioneve nga terreni, temperaturat e larta dhe era e fortë kanë favorizuar përhapjen e zjarrit, duke e bërë ndërhyrjen më të vështirë. Re të dendura tymi kanë mbuluar zonën, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër situatën për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave apo zonave të banuara.
Operacioni për neutralizimin e zjarrit vijon, ndërsa autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet për çdo vatër të re zjarri.


