Detaje të reja kanë dalë në dritë nga zjarri që përfshiu një apartament në qytetin e Korçës, ku humbi jetën 72-vjeçari Urim Hysolli.
Sipas informacioneve paraprake, në apartament jetonte me qira një çift, ndërsa pronari i banesës ishte rikthyer rreth dy muaj më parë dhe u kishte kërkuar atyre të lironin apartamentin. Çifti kishte kërkuar më shumë kohë për të gjetur një banesë tjetër, ndërsa 72-vjeçari jetonte në një nga dhomat e apartamentit.
Banorët e zonës kanë deklaruar se Hysolli konsumonte shpesh alkool dhe se vetëm dy ditë para ngjarjes kishte tentuar t’i vinte zjarrin banesës, por flakët ishin shuar pa shkaktuar pasoja.
Rrethanat e zjarrit të ndodhur ditën e sotme mbeten ende të paqarta. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të përcaktuar shkakun e flakëve, si edhe për të dokumentuar plotësisht ngjarjen.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që ekspertiza të hedhë më shumë dritë mbi shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike.


