Policia Kufitare ka ndëshkuar me gjoba të larta dy persona që rrezikuan sigurinë e pushuesve duke lëvizur me mjete lundruese pranë bregut në zonat bregdetare të Fierit.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe DVP Fier, u konstatua një mjet lundrues tip Jet Ski që lëvizte pranë pushuesve në plazhin e Semanit.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi E. D., u ndëshkua me 500.000 lekë të rinj gjobë, ndërsa mjeti lundrues u bllokua administrativisht.
Po gjatë patrullimeve, në Plazhin e Hidrovorit, Policia konstatoi një gomone që lëvizte në mënyrë të paligjshme pranë pushuesve. Mjeti drejtohej nga shtetasi austriak J. H., i cili nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues.
Për shkeljet e konstatuara, ndaj tij u vendos 510.000 lekë të rinj gjobë, si dhe u bllokua administrativisht gomonia.
Policia e Shtetit apelon ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke paralajmëruar masa të menjëhershme ndaj çdo shkelësi për garantimin e sigurisë së pushuesve.


