Spanja është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Belgjikën me rezultatin 2-1 në një çerekfinale të luftuar deri në minutat e fundit.
Skuadra e Luis de la Fuente dominoi pjesën më të madhe të takimit dhe kaloi në avantazh në minutën e 30-të me Fabián Ruiz. Pas një pritjeje të Thibaut Courtois ndaj goditjes së Dani Olmos, mesfushori spanjoll shfrytëzoi topin e kthyer dhe e dërgoi në rrjetë, duke realizuar golin e tij të parë në një Kupë Bote.
Belgjika reagoi para pushimit dhe barazoi në minutën e 41-të. Charles De Ketelaere realizoi me kokë pas një krosimi të Timothy Castagne, duke i dhënë shpresë “Djajve të Kuq”.
Një moment vendimtar ishte dëmtimi i portierit Thibaut Courtois në fund të takimit, i cili u zëvendësua nga Senne Lammens.
Kur ndeshja po shkonte drejt kohës shtesë, në minutën e 88-të, Mikel Merino përfitoi nga një top i kthyer nga portieri belg pas goditjes së Pau Cubarsí dhe shënoi golin e fitores, duke vulosur kualifikimin e Spanjës.
Me këtë sukses, “La Roja” siguron një vend në gjysmëfinale, ku do të përballet me Francën në një duel të madh për një biletë në finalen e Kupës së Botës 2026.
Nga ana tjetër, Belgjika eliminohet nga turneu, duke i dhënë fund edhe serisë prej 18 ndeshjesh pa humbje.


