Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Bet”, duke goditur tre raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet.
Si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve hetimore, u zbuluan tre ambiente ku dyshohet se organizoheshin lojëra fati, ndërsa dy persona u arrestuan në flagrancë, dy të tjerë u shpallën në kërkim dhe katër persona u proceduan penalisht.
Në një ambient në rrugën “Aleks Çaçi”, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan 22-vjeçarin me inicialet G. Zh., ndërsa shpallën në kërkim shtetasit M. Zh., 50 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç, të dyshuar si organizatorë të aktivitetit të paligjshëm. Gjatë kontrollit u sekuestruan dy makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi.
Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë G. S. (J.), 39 vjeç, pasi në lokalin që administronte me qira në zonën e Bathores u gjetën një makinetë dhe një telefon celular, që dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Po ashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve S. G., 21 vjeç, O. C., 19 vjeç, R. H., 27 vjeç dhe F. D., 67 vjeç. Gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, secilit prej tyre iu gjet një telefon celular që dyshohet se përdorej për organizimin e basteve sportive.
Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.


