Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku, i cili u ekzekutua me armë zjarri në zonën e Karmës së Kirit, në aksin malor Kir–Prekal, në Dukagjin.
Sipas të dhënave paraprake, ndaj viktimës është qëlluar me rreth 25 plumba automatiku nga e njëjta armë. Ngjarja ka ndodhur në një segment rrugor me lëvizje të kufizuara automjetesh dhe pa kamera sigurie, çka dyshohet se është zgjedhur me kujdes nga autorët për të realizuar atentatin.
40-vjeçari u gjet i pajetë brenda automjetit të tij nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë Policinë. Grupi hetimor dyshon se autori ose autorët i kishin zënë pritë dhe e ekzekutuan me breshëri automatiku.
Hetimet janë përqendruar kryesisht te pista e gjakmarrjes. Sipas familjarëve, Aleksandër Koçeku jetonte nën kërcënimin e hakmarrjes që prej vitit 2017.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se pista kryesore lidhet me vrasjen e Angjelin Shkambit në vitin 2017, ngjarje për të cilën vëllai i viktimës, Artan Koçeku, po vuan një dënim me burg. Familjarët dyshojnë se ekzekutimi i 40-vjeçarit mund të jetë kryer si akt hakmarrjeje për atë krim.
Ndërkohë, mësohet se Aleksandër Koçeku ishte gjithashtu nën hetim nga Prokuroria e Shkodrës në lidhje me dosjen e vrasjes së 19-vjeçarit Pavlin Preka, ndërsa afatet hetimore për këtë çështje ishin zgjatur vetëm pak ditë më parë.


