Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar pas mesnatës në Vorë, ku një 50-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një atentati me armë zjarri.
Sipas informacionit paraprak, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10 në fshatin Bërxullë. Viktima është shtetasi Edmond Sula, i njohur edhe me emrin Ali Sula, rreth 50 vjeç, i cili dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në derën e banesës së tij.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit dhe dokumentimin e provave.
Ndërkohë, Policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe po zhvillon kontrolle intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të kësaj vrasjeje.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që në orët në vijim të dalin detaje të reja mbi motivet dhe rrethanat e ngjarjes.


