Për të 42-ën ditë radhazi, qytetarë janë mbledhur në protestë në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ndryshimin e klasës politike që, sipas tyre, ka dominuar vendin për 36 vite.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit u grumbulluan fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe godinës së Kryeministrisë.
Gjatë tubimit u mbajtën fjalime dhe u përsëritën kërkesat për krijimin e një qeverie teknike, largimin e klasës së vjetër politike dhe zhvillimin e reformave që, sipas organizatorëve, do të mundësonin ndryshime në drejtimin e vendit.
Organizatorët e kishin shpallur më herët protestën e kësaj të premteje si një protestë kombëtare, ndërsa pas fjalimeve protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Tubimet para Kryeministrisë vijojnë prej 42 ditësh radhazi, me pjesëmarrësit që deklarojnë se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.


