Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në zonën e Dukagjinit, ku një person është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është konstatuar pa shenja jete Aleksandër Koçeku, i cili dyshohet se është ekzekutuar me armë zjarri.
Burime paraprake bëjnë me dije se një nga pistat që po hetohet lidhet me motive gjakmarrjeje, megjithatë deri në këtë fazë autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht motivin e ngjarjes.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kontrolle intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për administrimin e provave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje.


