Për të 41-ën ditë radhazi, protestuesit janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës së vjetër politike dhe krijimin e një qeverie teknike.
Ashtu si në ditët e mëparshme, pjesëmarrësit u grumbulluan fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë.
Me pankarta në duar dhe fjalime të mbajtura para godinës së qeverisë, protestuesit përsëritën kërkesat e tyre, duke theksuar se vendi ka nevojë për një ndryshim të thellë politik dhe për krijimin e një qeverie teknike që, sipas tyre, do të garantonte një proces të drejtë dhe të besueshëm.
Protesta zhvillohet nën vëzhgimin e forcave të policisë dhe deri në përfundim të saj nuk u raportuan incidente.


