Takimi mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka përfunduar pa një marrëveshje konkrete për formimin e institucioneve të reja.
Pas takimit, Hamza deklaroi se PDK do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati, duke theksuar se përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon Lëvizjes Vetëvendosje si forca fituese e zgjedhjeve.
“Qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë. I urojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që do të arrijnë t’i japin Kosovës institucionet e reja”, u shpreh Hamza.
Nga ana tjetër, Kurti e cilësoi takimin konstruktiv, por pranoi se nuk u arrit asnjë rezultat konkret. Ai tha se konsultimet do të vazhdojnë me synimin për të konstituuar Kuvendin, Qeverinë dhe për të zgjedhur presidentin brenda afateve kushtetuese.
Kryeministri në detyrë ritheksoi se përgjegjësia për formimin e Qeverisë i takon LVV-së, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet bashkëpunimi i të gjitha forcave politike.
Sipas Kurtit, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale, jashtë përkatësive partiake, me integritet kombëtar, profesional dhe qytetar, në mënyrë që të përfaqësojë unitetin e vendit, ashtu siç parashikon Kushtetuta.
Ai shtoi se LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja kanë së bashku numrin e nevojshëm të votave për të konstituuar institucionet, ndërsa nënvizoi se me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joserbe, LVV-ja siguron shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë.


