Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në lagjen “Erdogan” në qytetin e Laçit, ku humbi jetën 40-vjeçari Ilir Gjini, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure.
Sipas informacioneve paraprake nga burime hetimore, viktima sapo kishte parkuar automjetin dhe po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte, kur ndaj tij u hap zjarr. Mësohet se ai është goditur me shtatë plumba, ndërsa ka tentuar të largohet, por autori dyshohet se e ka ndjekur dhe ka qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës.
I plagosur rëndë, 40-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar Emiljan Suti, i njohur edhe me emrin Artur Suti, i cili është shpallur në kërkim. Sipas hetimeve paraprake, viktima dhe autori i dyshuar ishin fqinj, pasi banonin në të njëjtën lagje.
Në kuadër të hetimeve, efektivët kanë shoqëruar në komisariat nënën dhe vëllanë e autorit të dyshuar, ndërsa vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Grupi hetimor po verifikon disa pista lidhur me motivin e atentatit, përfshirë edhe të kaluarën e viktimës jashtë vendit. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se 40-vjeçari kishte edhe precedentë penalë.
Policia pritet të zbardhë në vijim rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivin që çoi në këtë ekzekutim.


