Spitali Universitar i Traumës ka publikuar një përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të plagosur në aksidentin e rëndë të ndodhur një ditë më parë në autostradën Tiranë–Durrës, ku humbi jetën drejtuesi i autobusit.
Sipas informacionit zyrtar, pesë pacientë që mbërritën në spital në gjendje më të stabilizuar kanë përfunduar trajtimin dhe janë larguar jashtë rrezikut për jetën, ndërsa një tjetër pritet të dalë nga spitali gjatë ditës së sotme.
Në mesin e të plagosurve që vijojnë të marrin trajtim, 8-vjeçari ndodhet në Reanimacion, ndërsa një 14-vjeçar me dëmtime në gjymtyrët e poshtme është jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në pavion.
Gjendja më e rënduar shëndetësore paraqitet te një shtetase vietnameze me nënshtetësi çeke, 56 vjeçe, e cila ndodhet në Reanimacion nën monitorim intensiv. Po ashtu, në kujdes intensiv vijon të mbahet edhe një shtetase çeke me origjinë vietnameze, 20 vjeçe.
Ndërkohë, pacientët e tjerë që iu janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale paraqiten me gjendje të stabilizuar dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë nën monitorimin e stafit mjekësor.
Njoftimi i plotë i Spitalit të Traumës:
Sa i përket pacientëve që ndodhen ende në observimin e Urgjencës dhe që i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe do të vijojnë të qëndrojnë në monitorim intensiv. Ndër ta është edhe një shtetase çeke me origjinë vietnameze, 20 vjeç.
Spitali Universitar i Traumës njofton se ekipi multidisiplinar i SUT ka qenë në gatishmëri dhe ka ndjekur në dinamikë pacientët e përfshirë në aksidentin e ndodhur në autostradën Tiranë–Durrës.
5 pacientë, të cilët ditën e djeshme janë paraqitur koshientë dhe më të stabilizuar, pas trajtimit mjekësor sipas protokolleve përkatëse, janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillë nga mjeku.
Gjithashtu, pritet që edhe një pacient tjetër të largohet nga spitali gjatë ditës, jashtë rrezikut për jetën dhe me këshillë nga mjekët.
I mituri 8-vjeçar ndodhet në Reanimacionin e SUT, me parametra jetësorë stabël.
Gjithashtu, në Reanimacion ndodhet edhe një shtetase vietnameze me nënshtetësi çeke, 56 vjeç, e cila është në monitorim intensiv. Ajo paraqitet me parametra jetësorë stabël, por në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të dëmtimeve të shumta të marra.
Fëmija 14-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në pavion, nën kujdesin e stafit mjekësor, me dëmtime në gjymtyrët e poshtme.


