Moti i përkeqësuar që ka përfshirë qarkun e Gjirokastrës gjatë pasdites dhe mbrëmjes së kësaj të enjteje ka shkaktuar probleme në disa zona të Bashkisë Dropull.
Erërat e forta kanë rrëzuar disa pemë në rrugën që lidh fshatin Haskovë, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve dhe duke krijuar vështirësi për banorët e zonës.
Ndërkohë, një shkarkesë e fuqishme atmosferike ka goditur një shtyllë elektrike, duke shkaktuar zjarr në një sipërfaqe kullote. Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës për shkak të kushteve të paqëndrueshme atmosferike.


