Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e Hekalit në Mallakastër, duke djegur sipërfaqe me ullishte dhe shkurre, ndërsa flakët iu afruan Parkut Arkeologjik të Bylisit, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend.
Sipas informacioneve paraprake, vatra e zjarrit u shfaq në orët e paradites dhe fillimisht u vu nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse të Ballshit. Megjithatë, era e fortë favorizoi riaktivizimin e flakëve, duke e bërë më të vështirë operacionin e shuarjes.
Për shkak të rrezikut që zjarri të depërtonte drejt Parkut Arkeologjik të Bylisit, në operacion u angazhuan edhe forcat zjarrfikëse të Fierit, ndërsa ndërhyrja u mbështet edhe nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve.
Ekipet e emergjencës vijojnë punën në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht zonën, pasi kushtet atmosferike dhe era e fortë mund të shkaktojnë riaktivizimin e vatrave të zjarrit.


