Venezuela po përballet me një nga katastrofat më të rënda natyrore në historinë e saj të fundit, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet mes rrënojave të shkaktuara nga dy tërmetet e fuqishme që goditën vendin. Sipas autoriteteve, numri i viktimave ka kaluar 1.400, ndërsa mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Dy lëkundjet sizmike me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën brenda pak sekondash njëra-tjetrën, duke shkaktuar shembjen e dhjetëra ndërtesave, dëmtime të mëdha në infrastrukturë dhe bllokimin e shumë zonave, veçanërisht në veri të vendit.
Qytetet Caracas dhe La Guaira janë ndër më të goditurat. Në shumë lagje, familjarët vazhdojnë të kërkojnë me duart e tyre të afërmit e bllokuar nën rrënoja, ndërsa ekipet e emergjencës përballen me mungesë mjetesh dhe vështirësi në akses për shkak të rrugëve dhe urave të shembura.
momentet kur foshnja nxirret nga rrënojat
Banorët raportojnë mungesë të ujit të pijshëm, ushqimeve dhe energjisë elektrike. Në disa zona janë shënuar episode të marrjes së produkteve bazë nga dyqanet, ndërsa autoritetet po përpiqen të shpërndajnë ndihma humanitare për komunitetet e prekura.
Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke garantuar se institucionet do të vazhdojnë operacionet e shpëtimit dhe asistencën për familjet e prekura. Megjithatë, situata mbetet e vështirë, pasi vendi po përballet prej vitesh me krizë ekonomike dhe humanitare, gjë që po e bën edhe më të komplikuar menaxhimin e pasojave të fatkeqësisë.
Shumë banorë e krahasojnë tragjedinë me katastrofën e madhe të vitit 1999 në La Guaira, por theksojnë se dëmet e shkaktuara këtë herë janë edhe më të rënda. Ndërkohë, autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet në orët dhe ditët në vijim, pasi kërkimet nën rrënoja vazhdojnë pa ndërprerje.


