Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Karmë në Vaun e Dejës, ku një 40-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të një lokali bar-kafe.
Viktima është identifikuar si Sokol Preka, i cili punonte si roje në lokal. Pavarësisht përpjekjeve për ta transportuar drejt spitalit, 40-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Në të njëjtën ngjarje është dëmtuar rëndë edhe David Deda, 46 vjeç, me profesion elektricist. Ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr trajtim mjekësor.
Ngjarja ka ndodhur në rrethana që ende nuk janë të qarta. Dyshohet se të dy personat kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike në ambientet e jashtme të lokalit.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.
Ekspertët pritet të përcaktojnë shkakun e kontaktit me energjinë elektrike dhe rrethanat që çuan në humbjen e jetës së 40-vjeçarit.
Njoftimi i Policisë:
Vau i Dejes: Informacion paraprak-Në fshatin Karmë, shtetasi S. P., 40 vjeç, roje i një lokali bar-kafe, në pronësi të shtetasit Gj. S., dhe shtetasi D. D., 46 vjeç, elektricist, dyshohet se kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike, në ambientet e jashtme të lokalit.
Si pasojë, shtetasi S. P. ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital, ndërsa shtetasi D. D. ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


