Kryeministri Edi Rama raportohet se u ka kërkuar ministrave të qeverisë të nisin një proces largimi të drejtuesve të institucioneve në varësi të tyre, duke u kërkuar dorëheqjet e parevokueshme. Lëvizja vjen në një moment kur qeveria po përballet me protesta në Tiranë dhe kritika të vazhdueshme ndaj administratës publike.
Sipas informacioneve të publikuara, Rama i ka kontaktuar ministrat nga Budva, duke u kërkuar të mbledhin drejtuesit e institucioneve që kanë në varësi dhe t’u kërkojnë largimin nga detyra përmes dorëheqjeve të parevokueshme.
Pritet që në ditët në vijim kjo nismë të bëhet publike nga vetë kryeministri. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e qartë nëse bëhet fjalë për një riorganizim të administratës, një reagim ndaj pakënaqësisë së qytetarëve dhe protestave, apo për një strategji më të gjerë politike.
Gjatë daljeve të fundit publike, Rama ka kritikuar disa herë funksionimin e administratës dhe vonesat në trajtimin e kërkesave të qytetarëve.
Një javë më parë, kryeministri paralajmëroi masa ndaj drejtuesve dhe punonjësve përgjegjës që nuk respektojnë afatet për kthimin e përgjigjeve dhe zgjidhjen e problematikave të qytetarëve.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, deklaroi Rama.
Nëse kërkesa për dorëheqjet do të zbatohet, ajo mund të sjellë ndryshime në drejtimin e institucioneve që varen nga ministritë. Për momentin, mbetet për t’u parë se cilat institucione do të preken dhe nëse qeveria do të japë një njoftim zyrtar për këtë proces.


