Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mbrëmjen e sotme fshatin Markatomaj të Lezhës, ku shpërthimi i një bombole gazi në një banesë ka lënë të plagosur gjashtë pjesëtarë të familjes Kola.
Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Tre prej tyre kanë pësuar djegie të shumta dhe ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kryefamiljari, Saimir Kola, është transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Mes të dëmtuarve janë edhe dy fëmijë, të cilët kanë marrë plagë më të lehta.
Ngjarja bëhet edhe më e dhimbshme për familjen, pasi për nesër ishte planifikuar dasma e vajzës së tyre. Në vend të përgatitjeve për ceremoninë, familjarët u përballën me një situatë të rëndë dhe me urgjencën për të shpëtuar të afërmit e tyre.
Tre nga të plagosurit u transportuan drejt spitalit me autoambulanca, ndërsa tre të tjerë u dërguan me automjete private, me ndihmën e fqinjëve dhe familjarëve.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet zjarrfikëse dhe efektivët e Policisë. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në banesën dykatëshe, ndërsa zhurma e fortë u dëgjua edhe në zonat përreth.

Grupi hetimor ka nisur verifikimet për të përcaktuar shkakun e shpërthimit dhe për të zbardhur të plotë rrethanat e ngjarjes.


