Është rënduar bilanci i ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në fshatin Karmë të Vaut të Dejës, ku dy persona ranë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të një lokali.
Fillimisht, 40-vjeçari Sokol Preka, i cili punonte si roje i lokalit, humbi jetën pas kontaktit me energjinë elektrike.
Ndërkohë, edhe 46-vjeçari David Deda, me profesion elektricist, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Ai ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.
Sipas informacionit paraprak, dy personat dyshohet se kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike në rrethana që ende nuk janë bërë të qarta.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet përkatëse, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Karmë, ju informojmë se edhe shtetasi D. D., 46 vjeç, elektricist, ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.


