Një aksident rrugor është regjistruar në Barbullinjë të Lushnjës, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë është përplasur me një automjet tip BMW dhe më pas ka përfunduar në murin e një biznesi.
Aksidenti ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, autobusi po lëvizte në korsinë e tij kur automjeti tip BMW dyshohet se i ka prerë rrugën. Drejtuesi i autobusit ka frenuar fort në përpjekje për të shmangur përplasjen, por nuk ka arritur të parandalojë aksidentin.
Pas goditjes me automjetin, autobusi ka dalë nga trajektorja e lëvizjes dhe ka përfunduar në murin e një biznesi pranë rrugës.
Në vendngjarje ka mbërritur Policia, e cila po kryen veprimet përkatëse dhe po merr dëshmitë e dy drejtuesve të mjeteve për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Ndërkohë, pasagjerët e autobusit janë në pritje të një mjeti tjetër transporti për të vijuar udhëtimin drejt destinacionit të tyre.
Hetimet për ngjarjen vijojnë.


