Spanja është finalistja e parë e Kupës së Botës 2026, pasi triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Francës në gjysmëfinale, duke zhvilluar një paraqitje bindëse dhe dominuese.
“La Roja” mori kontrollin e ndeshjes që në minutat e para dhe kaloi në avantazh në minutën e 22-të, kur Mikel Oyarzabal u tregua i saktë nga pika e bardhë, pasi Lamine Yamal fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje të mbrojtjes franceze.
Franca u përpoq të reagonte, por nuk arriti të krijonte raste të rrezikshme përballë një mbrojtjeje të organizuar spanjolle. Për më tepër, “Gjelat” pësuan edhe një goditje me dëmtimin e William Saliba, i cili u largua nga fusha gjatë pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Spanja vulosi kualifikimin. Në minutën e 59-të, Pedro Porro finalizoi një aksion të bukur me Dani Olmo, duke mposhtur portierin Mike Maignan për golin e dytë të takimit.
Pak minuta më vonë, Lamine Yamal realizoi edhe një gol tjetër, por ai u anulua për pozicion jashtë loje pas verifikimit.
Franca tentoi të rikthehej në lojë me rastet e Kylian Mbappé dhe Aurélien Tchouaméni, por portieri Unai Simón dhe mbrojtja spanjolle ruajtën portën të paprekur deri në fund.
Me këtë sukses, Spanja siguron për herë të dytë në histori një vend në finalen e Kupës së Botës dhe do të presë fituesin e gjysmëfinales mes Anglisë dhe Argjentinës.
Për Francën, aventura në Botërorin 2026 përfundon në gjysmëfinale, ndërsa trajneri Didier Deschamps regjistroi ndeshjen e 26-të në historinë e Kupës së Botës si trajner, një rekord i ri në këtë kompeticion.


