Një ngjarje e rëndë është denoncuar nga aktivistë të mbrojtjes së kafshëve në Korçë, ku një qenush lagjeje është përplasur nga një automjet tip “Mercedes-Benz”.
Sipas pamjeve që po qarkullojnë në rrjet, qeni ndodhet i shtrirë në mes të rrugës në momentin kur automjeti i afrohet. Shoferi ndalet për një çast, por më pas vijon lëvizjen, duke kaluar mbi kafshën dhe duke e tërhequr poshtë makinës për disa metra.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese ngjarjen, sipas pamjeve, është fakti se drejtuesi i automjetit nuk ndalet pas përplasjes për të verifikuar gjendjen e kafshës, por largohet nga vendngjarja sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Rasti ka shkaktuar reagime dhe indinjatë të madhe në rrjetet sociale, ndërsa aktivistët kërkojnë identifikimin e drejtuesit të mjetit dhe marrjen e masave nga autoritetet përkatëse.
Ata e cilësojnë ngjarjen si një akt të papranueshëm dhe kërkojnë që autoritetet të veprojnë sa më shpejt, duke theksuar se raste të tilla tregojnë mungesë të theksuar kujdesi dhe përgjegjësie në rrugë, me pasoja që, sipas tyre, në raste të tjera mund të çojnë edhe në tragjedi më të rënda.


