Mijëra ton peshq të ngordhur kanë mbuluar sipërfaqen e rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë, duke shkaktuar një situatë të rëndë ekologjike dhe alarmuar banorët e zonës.
Sipas banorëve, ngordhja masive e peshqve dyshohet se lidhet me punimet për ndërtimin e një dige në rezervuar, ndërsa një tjetër problem i evidentuar është mungesa e bashkëpunimit dhe komunikimit mes institucioneve përgjegjëse.
Në këtë proces përfshihen Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Lushnjës, ndërsa firma kontraktuese që po kryen punimet duhej të njoftonte për ndërhyrjet në rezervuar.
Ish-administratori i rezervuarit, Ylli Kashari, thotë se situata ishte e parashikueshme për shkak të sasisë së madhe të peshkut që ndodhej në ujërat e tij.
“Unë e dija sa peshq kishte, mijëra ton”, është shprehur Kashari.
Deri pak ditë më parë, sipërfaqja ujore e rezervuarit ishte rreth 190 hektarë, ndërsa aktualisht një pjesë e madhe e saj është mbuluar nga balta dhe peshqit e ngordhur. Era e rëndë e peshkut të kalbur ka bërë që institucionet të ndërhyjnë pas alarmit të krijuar në zonë.
Rezervuari i Kasharajt ka funksionuar prej dekadash dhe banorët e zonës kanë siguruar të ardhura nga peshkimi në të. Sipas ish-administratorit, ai e ka menaxhuar rezervuarin nga viti 2007 deri në vitin 2022.
Kashari pretendon se inspektimet nga Ministria e Bujqësisë janë ndërprerë prej vitit 2013.
“Unë e kam punuar këtë rezervuar 2007-2022. Që nga 2013 këtu s’ka ardhur asnjë nga Ministria e Bujqësisë”, deklaron ai.
Ministria e Bujqësisë është institucioni përgjegjës për licencimin e aktivitetit të akuakulturës dhe peshkimit, ndërsa në situata emergjente përfshihen edhe strukturat e pushtetit vendor dhe institucionet përgjegjëse për mjedisin.
Ndërhyrja e deritanishme e institucioneve është fokusuar te dezinfektimi i zonës me klor, pas ngordhjes masive të gjallesave ujore.
Pamjet nga rezervuari tregojnë një situatë alarmante, me sipërfaqen e ujit të mbuluar nga peshqit e ngordhur dhe balta. Në bregun e rezervuarit dallohen mbetje të shumta të peshqve, ndërsa pulëbardhat janë ndër të vetmet gjallesa që shihen duke u ushqyer me ta.
Shkalla e dëmit ekologjik dhe shkaqet e sakta që çuan në ngordhjen masive të peshqve pritet të përcaktohen nga institucionet përgjegjëse përmes verifikimeve dhe analizave përkatëse.


