Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në aksin Fier-Lushnjë, në rrethrrotullimin e Kolonjës, ku një çift bashkëshortësh ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, kur një automjet tip fuoristradë ka dalë nga rruga, është përplasur me barrierat metalike dhe ka përfunduar në kanalin poshtë urës, në një thellësi prej rreth 5 metrash.

Për nxjerrjen e dy personave nga automjeti është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve të Lushnjës dhe e stafit mjekësor të ambulancës. Bashkëshortët janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës, ku po marrin trajtim mjekësor për dëmtimet e marra.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shpejtësia e lartë, e kombinuar me lagështinë në rrugë për shkak të reshjeve intensive të shiut, mund të ketë bërë që drejtuesi i automjetit të humbiste kontrollin dhe të mos arrinte të përshkonte rrethrrotullimin.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për viktima. Pritet që ekspertiza e Policisë Rrugore të përcaktojë shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Rrethrrotullimi i Kolonjës konsiderohet një pikë problematike për sigurinë rrugore, ku edhe më parë janë regjistruar aksidente të rënda, përfshirë raste me pasoja fatale.


