Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me tensione si brenda sallës së Parlamentit, ashtu edhe jashtë tij, ku studentët dhe të rinjtë janë mbledhur në protestë kundër situatës së krijuar ditët e fundit.
Përpara nisjes së seancës, Policia ka marrë masa të shtuara sigurie, duke rrethuar me barriera metalike perimetrin pranë Kuvendit, nga zona e Xhamisë së Namazgjasë deri te hyrja e institucionit. Në oborrin e Parlamentit është vendosur edhe një zjarrfikëse, ndërsa në zonë janë dislokuar dy automjete ujëhedhëse.

Tensionet janë zhvendosur edhe brenda sallës së Kuvendit. Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren dhe kanë mbajtur në duar fotografi të studentëve të dhunuar gjatë protestave të ditëve të fundit, duke kundërshtuar zhvillimin normal të seancës.
Situata është përshkallëzuar gjatë përplasjes mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe mazhorancës. Deputeti Flamur Noka i ka hequr mikrofonin kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe më pas i ka hedhur letra në drejtim të tij, pas deklaratave të këtij të fundit për veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestës.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka vijuar me procedurat parlamentare dhe ka kaluar për votim rendin e ditës. Ky veprim ka shkaktuar reagime të mëtejshme nga deputetët demokratë, të cilët kanë vijuar kundërshtimin, ndërsa Flamur Noka u ka marrë deputetëve socialistë kartonët e votimit.
Në rendin e ditës është parashikuar edhe interpelanca e kërkuar nga Partia Demokratike me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me protestat. Gjithashtu, pritet të shqyrtohen disa projektligje, mes tyre ai për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave dhe ato në ligjin për të drejtat e autorit.
Kështu, protesta e studentëve jashtë godinës dhe përplasjet mes deputetëve brenda sallës kanë shoqëruar zhvillimet e sotme parlamentare, në një klimë të tensionuar politike.


