Një situatë e pazakontë është regjistruar në ambientet e Manastirit të Zvërnecit, ku disa qytetarë janë ndaluar nga roja e objektit pasi tentuan të hynin brenda me flamur.
Sipas një videoje të dërguar në redaksinë e Vrojtuesit roja u ka kërkuar qytetarëve të lënë flamurin jashtë dhe të mos hyjnë me të në ambientet e manastirit. Në komunikimin me vizitorët, ai është shprehur se manastiri është një vend kulti dhe lutjeje, ndaj nuk duhet të përdoret për tubime, manifestime apo veprime që mund të cenojnë qetësinë dhe karakterin fetar të objektit.
Pamjet kanë nxitur reagime të ndryshme mes qytetarëve, ku një pjesë e konsiderojnë të drejtë zbatimin e rregullave të një vendi të shenjtë, ndërsa të tjerë e kanë parë veprimin si të tepruar.
Manastiri i Zvërnecit mbetet një nga destinacionet më të vizituara në jug të vendit, duke tërhequr gjatë gjithë vitit turistë, pelegrinë dhe vizitorë vendas e të huaj. Për shkak të statusit të tij si objekt kulti, vizitorët janë të detyruar të respektojnë rregullat e vendosura për ruajtjen e qetësisë dhe solemnitetit të këtij monumenti me rëndësi historike dhe fetare.


