Tensionet janë rritur në Vlorë, ku qytetarë kanë protestuar kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar në Qendrën Historike të qytetit. Gjatë protestës, ata kanë tentuar të rrëzojnë rrethimin e zonës ku po zhvillohen punimet, ndërsa përballë tyre janë vendosur forca të policisë.
Protestuesit kërkojnë ndalimin e projektit dhe anulimin përfundimtar të punimeve, duke kundërshtuar ndërhyrjen në godinën e ish-Klubit Patriotik “Labëria”, të cilën e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit të Vlorës.
Protesta zhvillohet një ditë pasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Lushnjë vendosi pezullimin e punimeve për ndërtimin e muzeut hebraik në Vlorë, në zonën pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria”.
Godina, ku sot ndodhet Muzeu Etnografik, është shpallur monument kulture që prej vitit 1963. Ajo lidhet me veprimtarinë patriotike që i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Qytetarët kundërshtojnë projektin, duke argumentuar se kjo hapësirë duhet të ruajë karakterin e saj historik. Në vend të muzeut të planifikuar, ata propozojnë ngritjen e një muzeu kushtuar historisë, kulturës dhe figurave të rëndësishme të kombit shqiptar.
Ndërsa qytetarët këmbëngulin për ndalimin e projektit, situata në zonën ku po zhvillohet protesta mbetet e tensionuar, me policinë të pozicionuar përpara rrethimit të punimeve.


