Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet lidhur me veprimet e punonjësve të Policisë gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Përmes një njoftimi zyrtar, AMP bën të ditur se ka administruar materiale filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale, të cilat dokumentojnë episode të ndodhura gjatë tubimeve.
Sipas agjencisë, të gjitha materialet e mbledhura do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive të mundshme.
Gjatë katër ditëve të protestave, deri më tani janë pezulluar gjashtë efektivë policie dhe shefi i Komisariatit nr. 1 në Tiranë, pas dyshimeve për ushtrim dhune ndaj protestuesve.
Hetimet dhe verifikimet synojnë të përcaktojnë nëse gjatë ndërhyrjeve të Policisë janë konstatuar shkelje dhe nëse ka përgjegjësi individuale nga ana e punonjësve të përfshirë.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka monitoruar situatën e krijuar gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, me fokus evidentimin dhe verifikimin e çdo rasti të dyshuar për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.
Në kuadër të këtij procesi, punonjës të AMP-së kanë qenë të pranishëm në terren gjatë zhvillimit të protestave, duke evidentuar raste konkrete.
Gjithashtu, AMP ka administruar materiale filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale. Të gjitha materialet e administruara do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për rastet e evidentuara, AMP po vijon veprimet në përputhje me kompetencat e saj ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, për shkëmbimin e informacionit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjeve, pa cenuar pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit. Për rastet kur janë evidentuar të dhëna që përmbajnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.


