Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt.
Takimi u zhvillua më 16 tetor, ndërsa lajmi u bë publik përmes fotografive të shpërndara nga Kingji në rrjetet sociale.
Gjatë takimit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Shqipërinë në fushën e Mbrojtjes, me theks të veçantë te modernizimi i kapaciteteve operacionale dhe ushtarake të Forcave të Armatosura.
Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe të mbështetjes amerikane për zhvillimin dhe modernizimin e kapaciteteve të ushtrisë shqiptare.
“Kënaqësi të zhvilloja një takim me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.T.Z. Eric Wendt. Gjatë takimit, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit tonë strategjik në fushën e mbrojtjes, veçanërisht në drejtim të modernizimit të kapaciteteve operacionale dhe ushtarake të Forcave të Armatosura. Theksova angazhimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe forcimin e sigurisë kombëtare dhe kolektive,“-shkruan Kingji.



