Një konflikt i ndodhur mesditën e së shtunës në parkimin e parkut natyror “Syri i Kaltër”, në Sarandë, ka përfunduar me një person të arrestuar dhe tre të proceduar penalisht.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, pas një debati për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete të marrë me qira për lëvizje brenda parkut.
Nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi A. H., 43 vjeç, banues në Kamëz, ka goditur me sende të forta administratorin e subjektit, A. L., 27 vjeç. Si pasojë e dhunës, i riu ka pësuar fraktura dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën me dije se në konflikt janë përfshirë edhe vëllai i të arrestuarit, A. H., 45 vjeç, si dhe shtetasi S. Ç., 20 vjeç.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, 43-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërkohë, vëllai i tij, 45-vjeçari A. H., shtetasi S. Ç., si dhe administratori i subjektit, A. L., janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Policia e Sarandës vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit.


