Protesta qytetare kundër qeverisë vazhdoi edhe këtë të diel, duke hyrë në ditën e 43-të të protestës. Qindra qytetarë u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku përsëritën thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama, si edhe të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Gjatë tubimit u bë i ditur edhe një tjetër veprim që protestuesit synojnë të ndërmarrin. Ata njoftuan se ditën e nesërme, në orën 13:00, do t’i drejtohen Prokurorisë së Posaçme (SPAK) me një kallëzim penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, duke pretenduar se ai ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Sipas organizatorëve, ky hap vjen pas deklaratave të kreut të Policisë se janë në verifikim mbi 10 mijë profile qytetarësh për vlerësimet negative të publikuara në rrjetet sociale. Protestuesit argumentojnë se Kodi Penal nuk parashikon si shkelje penale publikimin e komenteve apo “reviews” negative në platformat online, ndaj një hetim i tillë, sipas tyre, është i pambështetur ligjërisht.
Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, marshimi vijoi në disa prej akseve kryesore të Tiranës. Organizatorët deklaruan se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje.


