Një kafshë e vogël që jeton në zonat e ngrira të Arktikut mund të mbajë çelësin për një revolucion në mjekësinë moderne. Bëhet fjalë për ketrin e Arktikut, gjitari i vetëm në botë që është në gjendje të ulë temperaturën e trupit nën pikën e ngrirjes, duke mbijetuar për muaj të tërë në letargji.
Shkencëtarët besojnë se studimi i këtij mekanizmi unik mund të çojë në zhvillimin e trajtimeve të reja për pacientët që pësojnë infarkt në zemër, goditje në tru apo dëmtime të rënda traumatike.
Gjatë letargjisë, ketri ul ndjeshëm metabolizmin, frymëmarrjen dhe ritmin e zemrës, ndërsa temperatura e trupit zbret deri në rreth -2.9 gradë Celsius. Kjo gjendje i lejon të mbijetojë për afro tetë muaj pa ngrënë dhe pa pirë ujë.

Sipas studiuesve të Universitetit të Alaskës, nëse kjo aftësi do të mund të përshtatej te njerëzit, mjekët do të fitonin kohë të çmuar për trajtimin e pacientëve në gjendje kritike, duke reduktuar dëmtimet që shkakton mungesa e oksigjenit në tru dhe organe të tjera jetësore.
Eksperimentet kanë treguar se disa molekula natyrale, si adenozina, mund të ngadalësojnë metabolizmin edhe te kafshë që nuk bien në letargji, si minjtë laboratorikë. Paralelisht, studiuesit po testojnë edhe metoda të tjera që synojnë kontrollin e temperaturës trupore përmes sistemit nervor.
Një tjetër zbulim premtues lidhet me nivelet e larta të jodurit në gjakun e ketrit gjatë letargjisë. Studimet paraprake sugjerojnë se kjo substancë mund të mbrojë indet nga dëmtimet që ndodhin kur rikthehet qarkullimi i gjakut pas një infarkti ose goditjeje në tru. Madje, një provë klinike e fazës së dytë ka treguar rezultate inkurajuese te pacientët me infarkt, megjithëse nevojiten studime më të mëdha për të konfirmuar efektivitetin.
Përveç përdorimit në mjekësinë emergjente, studiuesit besojnë se mekanizmat biologjikë të ketrit mund të ndihmojnë në ruajtjen e muskujve gjatë qëndrimit të gjatë në shtrat, në trajtimin e obezitetit dhe madje në misionet e ardhshme hapësinore, ku astronautët mund të vendosen në një gjendje të ngjashme me letargjinë për udhëtime shumë të gjata.
Edhe pse këto aplikime mbeten ende në fazën e kërkimeve shkencore, ekspertët janë optimistë se studimi i këtij gjitari të jashtëzakonshëm mund të hapë një kapitull të ri në mjekësinë moderne dhe në trajtimin e sëmundjeve të rënda.


