Ngjarja e rëndë që tronditi Kosovën ka marrë një tjetër zhvillim. Egzon Bytyqi, i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij, Jetlira Foniqi, ka ndërruar jetë disa ditë pas ngjarjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 gusht, në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku çifti u gjet i plagosur në dhomën e gjumit. Jetlira Foniqi, e cila ishte 8 muajshe shtatzënë, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Bytyqi, i cili dyshohej si autor i ngjarjes, kishte mbetur gjithashtu i plagosur dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, 26-vjeçari ndërroi jetë më 27 gusht, rreth orës 17:15.
Hetimet për ngjarjen vijojnë në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Paraprakisht, dyshohet se xhelozia mund të ketë qenë motivi i ngjarjes, por shkaku dhe dinamika e saktë pritet të përcaktohen nga hetimet.
Vrasja e Jetlira Foniqit ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe ka rikthyer në vëmendje problematikën e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.


