Gjatë protestës së zhvilluar këtë të shtunë në kryeqytet, pjesëmarrësit kanë zgjedhur një mënyrë simbolike për të “uruar” kryeministrin Edi Rama në ditëlindjen e tij.
Protestuesit sollën një tortë të realizuar me elemente simbolike, ku dominonte betoni, ndërsa mbi të ishin vendosur edhe flamingo, në një referencë ndaj debatit për projektin e investimit në zonën e Zvërnecit dhe mbrojtjen e ekosistemit të lagunës.
Në pjesën e sipërme të tortës ishte vendosur mbishkrimi “Shumë burg për ty!”, ndërsa protestuesit brohoritën edhe sloganin “Edhe 100 vite në burg!”, duke ironizuar kryeministrin në ditën e lindjes së tij.
Simbolikës iu bashkua edhe një paradë me flamingo, e organizuar nga pjesëmarrësit në protestë, e cila shoqëroi marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.



